Partia Demokratike ka publikuar sot një platformë që synon të çlirojë sipas saj, ekonominë e vendit nga oligarkët dhe korrupsioni. Deputetët Jorida Tabaku, Florion Mima dhe Enkelejd Alibeaj kanë numëruar abuzimet e qeverisë, tenderat, koncensionet dhe kompanitë që i kanë përfituar. Zotimi i opozitës është që paratë e fituara në mënyrë korruptive e klienteliste t’i kthehen qytetarëve ashtu si dhe pasuritë publike.
Po kështu sipas PD-së, zyrtarët publikë dhe kompanitë private të përgjigjen me pasurinë e tyre për përfitimet abuzive. Në platformën e opozitës përmenden me emra konkretë kompanitë që kanë përfituar fonde publike në mënyrë abuzive përmes tenderave apo me modelin e ofertave të pakërkuara. Deputetja Tabaku i renditi që nga koncensioni për Check Up-in e deri tek kompania ‘Air Albania’, të cilën Rama po e promovon së fundi edhe me udhëtime falas Tiranë-Stamboll.
Sipas PD-së, nga zbatimi i kësaj platforme synohet që: "Paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste i merren dhe i kthehen qytetarëve dhe bashkë me të edhe pasuria. Pasuritë publike të përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste i kthehen të zotit të cilit i janëq marrë në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme. Kompanitë private do të përgjigjen për dy masat më sipër, për pasuritë e tyre për përfitimet abuzive".
PD sqaron më tej se paratë publike dhe pasuritë e konfiskuara së paku 2.2 miliardë deri tani, do të përdoren për shërbime dhe investime publike.
"Vendosja e këtyre masave ndëshkuese aktualisht, që do të sjellin edhe efektin demotivues për të mos u përfshirë nga ana palës private në praktikat e tjera abuzive, sjell edhe një gjë fare të prekshme për çdo biznes.Përmirësimin e klimës së binzesit për të garantuar konkurencë të lirë, dhe barazi përpara ligjit të subjekteve private. Gjendje e jashtëzakonshme, nevojë ekstreme, kërkon domosdoshmërisht masa të tilla ekstreme, drastike", thuhet në platformën e opozitës.
Në fotot më poshtë shihni emrat e biznesmenëve që sipas opozitës duhet të japin llogari për paratë që u kanë marrë taksapaguesve shqiptarë përmes lidhjeve okulte me qeverinë ‘Rama’.
©LAPSI.al
